Kica-Xhelili – Kurtit: Procesi i Vetingut u shkatërrua me fajin tuaj – je dorëzuar, të sfidoj të ballafaqohemi
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti i cili shkroi në Facebook se “Vetingu i shumëpritur e tejet i nevojshëm po merr rrugë”.
Kica – Xhelili tha se nga leximi i statusit të Kurtit e ka kuptuar se shefi i Qeverisë “qenka dorëzuar”.
“Kryeministër, ta lexova statusin. Seriozisht qenke dorëzuar! Nëse KËTË proces e quan VETING TE SHUMEPRITUR, atehere ose nuk e paske kuptuar kurrë çka është, ose nuk ke dashur ta bësh kurrë”, shkroi ajo.
Deputetja shtoi se ky proces është “amputuar” e “shkatërruar” me fajin e Kurtit dhe “nuk është as AFËR Vetingut të shumëpritur”.
“Është turp dhe manipulim madje ta quash VETING”.
“MJAFT me propagandë, e fillo tregoji arsyet e vërteta pse AI VETINGU i shumëpritur u shkatërrua në kohën tënde”, shkroi ajo.
Kica – Xhelili tha se për “dështimet dhe kapjen në drejtësi” e sfidon Kurtin që “të ballafaqohemi ku të duash e kur të duash”.