Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme

Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla–Schwarz, bëri të ditur se bashkë ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, ishin në selinë e Kombeve të Bashkuara, për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Rusia, siç u shpreh ajo, në një tentativë për të ngritur paralele absurde dhe siç tha, të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s dhe luftës agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës.

Gërvalla bëri të ditur se me vetëm 3 vota dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi, përcjell Klankosova.tv.

Ajo u shpreh se Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit, siç tha ajo, për të shtrembëruar të vërtetën.

“Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike.

“Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën. Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi”, u shpreh ajo.

Gërvalla tutje tha se qindra masakra që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1 mijë e 432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës, siç u shpreh ajo, ishin dhe mbeten fakt.

“Por, po aq mbetet fakt që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran i qytetarëve të saj. Në 25 vitet e pasluftës, Kosova ka avancuar në zhvillim të demokracisë, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut, zhvillim ekonomik dhe integrim në mekanizmat ndërkombëtar, ndërkohe që Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”, u shpreh tutje ajo.