Kosova dhe Serbia “me dallime të mëdha” për dinarin
Kosova dhe Serbia kanë përfunduar të hënën edhe një raund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua më 1 shkurt në Kosovë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kritikoi Prishtinën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi.
Bislimi, pas takimit me Petkoviqin nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, tha se janë diskutuar propozimet e palëve për çështjen e dinarit.
“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha Bislimi.
Bislimi nuk deshi të japë detaje për propozimet, pasi argumentoi se do të dëmtohej procesi negociues, por tha se ai i Kosovës ishte “konstruktiv”.
“Mendoj që pala jonë ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha Bislimi.
Por, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi. /Rel