Rusia me sulm intensiv me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës

Rusia me sulm intensiv me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës

Rusia ndërmori një valë masive sulmesh gjatë natës në një nga ofensivat më të mëdha të kohëve të fundit në Ukrainë, me më shumë se 90 raketa dhe 60 dronë të prodhuar nga Irani, tha të premten Presidenti Volodymyr Zelenskyy.

“Bota po e sheh shumë qartë se cilat janë objektivat e terroristëve rusë: termocentrale dhe linjat e furnizimit me energji, hidrocentrale, banesa banimi”, tha ai.

Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës tha se sulmet shkaktuan vdekjen e të paktën dy personave dhe plagosjen e 14 të tjerëve, ndërsa tre vetëve nuk u dihet fati.

Zoti Zelenskyy bëri thirrje përsëri për armë shtesë nga perëndimi, duke thënë se është e rëndësishme të kuptohet se vonesat dhe shtyrja e vendimeve, kanë pasoja.

“Kemi nevojë për mbrojtje ajrore për të ruajtur njerëzit, infrastrukturën, shtëpitë dhe digat. Partnerët tanë e dinë shumë mirë se çfarë na duhet”, tha ai.

Një nga sulmet e së premtes ndërpreu një nga dy linjat e energjisë që furnizonin termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore, atë të Zaporizhzhias.

Objektet energjetike në qytete të shumta në të gjithë Ukrainën u vunë të premten në shënjestër të sulmeve ruse me raketa, dronë dhe artileri./VOA/