DASH për takimin Daçiq-Lavrov: Të mos i ofrohet Putinit platformë për të nxitur agresion
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë (REL) se është i vetëdijshëm për një takim mes ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, me homologun e vet rus, Sergei Lavrov, më herët gjatë ditës në Moskë.
“Ne nuk besojmë se një vend duhet t’i ofrojë [presidentit rus Vladimir] Putin një platformë për ta promovuar, ose arsyetuar luftën e tij të vazhdueshme agresore kundër Ukrainës,” tha DASH për Radion Evropa e Lirë.
Daçiqi udhëtoi drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë të enjten pasdite.
Serbia u bë kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Beogradi zyrtar nuk ka pranuar të bëhet pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian – megjithëse synon të anëtarësohet në të – prej kur blloku filloi ta sanksionojë Rusinë dy vjet më parë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Pas takimit me Lavrovin, Daçiq tha se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën është “interes jetik shtetëror” për Serbinë.
Daçiq, shefi aktual i diplomacisë në Serbi, e mbron publikisht qëndrimin se Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, megjithëse i kërkohet nga Bashkimi Evropian.
Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – e shpallur nga Prishtina zyrtare më 2008 – por nga viti 2011 zhvillon dialog me të, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Në Moskë, Daçiqi e falënderoi Rusinë për qëndrimin dhe mbështetjen e vendosur për Serbisë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, si dhe për çështjen e Kosovës.
Ministri i Jashtëm rus Lavrov tha para takimit se Rusia është e interesuar të “parandalojë krizat e reja” në Ballkan, sipas agjencisë së lajmeve, Beta.
Lavrovi thuhet t’i ketë thënë Daçiqit se dëshiron të dëgjojë prej tij një vlerësim për situatën në Ballkan, të cilën e ka vlerësuar si “serioze”.