Dështon mbledhja e komisionit hetimor për rezerva, shkak mungesa e kuorumit

Dështon mbledhja e komisionit hetimor për rezerva, shkak mungesa e kuorumit

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Në pikë të rendit të ditës ishte diskutimi rreth kërkesave për sjellje të dokumentacionit.

Të pranishëm ishin Driton Hyseni, Halil Thaçi, Salih Zyba të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Valentina Bunjaku-Rexhepi e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, pati kritika për mungesë të opozitës. Tha se në mbledhjen e mëhershme janë marrë vendime pa u konsultuar mazhoranca.

“Nuk kemi kushte për fillimin e punës së këtij takimi mirëpo konsideroj të papranueshme thirrjen e mbledhjes së komisionit hetimor dhe mos gatishmërinë e opozitës për të marrë pjesë në këtë mbledhje. Gjithsesi ne do dëshironim të trajtonim disa çështje që kanë rrjedh nga mbledhja e fundit e komisionit hetimor, çështjet  të cilat nuk kanë filluar mirë vendimmarrjen në këtë komision. Nga koleget e opozitës janë marrë hapa në mënyre të njëanshme duke dërguar shkresa pa ndonjë vendimmarrje të komisionit hetimor”, tha Hyseni.

“Konsideroj që mungesa e sotëm është mungesë serioziteti pa marrë parasysh angazhimeve të tjera. Mbledhja është thirr nga kryesuesi zotëri Qalaj dhe unë nuk e di pse është dashur të thirret mbledhja kur të paktën ai e ka dit qe është jashtë vendit. Ne koleget këtu jemi prezentë për të shprehur gatishmërinë për trajtimin e subjektit i cili kuvendi Kosovës na ka  mandatuar ta trajtomë pra  hetimin e çështjes së rezervave shtetërore, respektivisht pretendimet që janë dhënë nga opozita që mund të kemi ndonjë keqpërdorim të mundshëm nga këto rezerva”, u shpreh ai.

E deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila e kryesoi këtë mbledhje, tha se për mungesë të Qalajt ka qenë e njoftuar. Ndërsa theksoi se fajtor për dështim të mbledhjes janë edhe deputetët e VV-së.

“Nuk bën me luajt rolin duke u viktimizua që jeni të interesuar me zbardh të vërteten sepse ne si opozitë ju kemi ftuar që katër muaj dhe katër muaj na kanë dështuar mbledhjet e komisionit dhe opozita këtë rast është hera parë që e ka dështu mbledhjen është hera parë që ka mungu tjetër është që kanë dështuar mbledhjet mes përplasjeve por me prezencë është hera parë si opozitë që po mungojmë, kështu që nuk është mirë me luajt rolin e viktimës që ju jeni të interesuar me zbardh të vërteten”, tha ajo.

“Mos u bëni viktimë se është hera e parë që kanë munguar si opozitë. Ku ishit ju që katër muaj”, ju kundërpërgjigj tutje Bunjaku.

Por, për mungesën e deputetëve të pozitës, reagoi deputeti i VV-së, Driton Hyseni. Ai tha se bojkoti i tyre ndërlidhet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai tha se në momentin që kanë kaluar ato, kanë qenë pjesëmarrës në mbledhje.

“Nuk po e shoh shumë të nevojshme të thellohemi në detaje rreth qëndrimit politik. Kur ka qenë qëndrim publik politik i vëreni edhe në seancën e Kuvendit, në Komision e në çdo  intervistë që kemi dhënë rreth çështjes që është duke trajtu në komision hetimor.  Krejt ideja ka qenë  ta  bindim opozitën t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare dhe ne të marrim pjesë në konstutuimin e këtij komisioni dhe të vazhdojmë me punën. Në momentin që kaluar marrëve veshjet ndërkombëtare dhe janë votuar në seancë të Kuvendit marrëveshjet ndërkombëtare në vlerë mbi 310 milionë euro në të mirë të qytetareve”, tha Hyseni./EO