Shtyhet sërish seanca për Sali Berishën

Shtyhet sërish seanca për Sali Berishën

Sot në Apelin e Posaçëm pritej të shqyrtohej kërkesa e ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare. Por siç deklaroi para SPAK avokati i Berishës, Genc Gjokutaj seanca u shty për në datën 25 Mars.

“Prokurorët kishin dorëzuar një shkresë në të cilën thuhej se për arsye profesionale, ata nuk mund të ishin prezentë. Sigurisht ky është një sebep, një justifikim, ata janë dy prokurorë, të paktën njëri prej tyre duhet të ishte prezent. Nuk e kuptoj termin arsye profesionale, sepse profesioni i prokurorit është në hetim dhe gjykim. Nuk i di arsyet e tjera, por sigurisht me angazhimin e zotit Rama në punët e tjera, kontakti është shkëputur dhe caktuan një datë tjetër derisa të rivendoset SPAK në kontakt me zotin Rama”, tha Gjokutaj.

Kujtojmë se më 12 mars, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën tjetër të avokatëve të Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për revokim të masave të sigurisë. Sipas trupës gjykuese kërkesat rezultonin të pabazuara në ligj e prova.

SPAK po e heton Berishën me dyshimet se është përfshirë në korrupsion në procedurën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”. Akuzë e cila është mohuar nga ish kryeministri që e konsideron hetimin ndaj tij si politikë. Për të njëjtën çështje në arrest shtëpie po qëndron edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Ish-kryeministri ndodhet i izoluar në banesën e tij që prej 30 dhjetorit 2023 me vendim të GJKKO-së. Ashpërsimi i masës ndaj tij prej SPAK erdhi si pasojë e moszbatimit të vendimit të gjykatës për t’u paraqitur para agjentëve të BKH-së, shkruan tvklan.