Foda: Kosova ka ekip interesant, me lojtarë cilësor
Përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, e ka mbajtur konferencën e parë për media në kuadër të grumbullimit të parë me Dardanët, para dy miqësoreve të këtij muaji kundër Armenisë dhe Hungarisë. Konferencën e sotme trajneri gjerman e ka nisur me “Mirëdita” në gjuhën shqipe për gazetarët e pranishëm, teksa ka shfaqur gëzimin e tij për fillimin e punës me ekipin dardan. Ai fillimisht ka ndarë me publikun detajet rreth procesit të zgjedhjes së lojtarëve dhe takimeve me ta.
“Ky është grumbullimi ynë i parë. Gjatë javëve të kaluar unë së bashku me ndihmësit e mi kemi udhëtuar shumë. Kemi vëzhguar lojtarë dhe jemi njoftuar rreth paraqitjeve të tyre. Jam takuar personalisht me lojtarët, si me Amir Rrahmanin e Vedat Muriqin. Kemi pasur shumë biseda të mira,” ka thënë Foda.
Ai pastaj ka bërë të ditur se në stërvitjen e parë do të jenë pjesëmarrës 17 lojtarë, ndërsa ekipi do të kompletohet gjatë ditës së sotme.
Foda ka përmendur gjithashtu planin e qartë të përgatitjes për ndeshjen ndaj Armenisë dhe ka theksuar se çdo lojtar ka mundësinë për të treguar vlerat e veta.
“Kemi një plan të qartë të cilit do t’i përmbahemi për ndeshjen ndaj Armenisë. I kemi përcjellë ndeshjet e lojtarëve, e disa i kemi ndjekur edhe përmes TV-së si kanë luajtur dhe kemi përzgjedhur lojtarët që na kanë bindur më shumë. Gjithsesi dera është e hapur për të gjithë dhe çdo lojtar e ka mundësinë të tregoj veten për ndeshjet e ardhshme”, ka shtuar Foda.
Tutje Foda ka shfaqur besimin në aftësitë e ekipit dardan dhe ka shprehur optimizmin për rezultate të mira në të ardhmen.
“Kam punuar shumë me lojtarë të Kosovës te Zuerichu dhe te Kaiserslauterni. Kosova ka ekip shumë interesant dhe lojtar shumë cilësor, andaj jam shumë i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira,” ka theksuar Foda.