Osmani flet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, tregon se e refuzoi një plan të Lajçakut
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ka shkelur me dhjetëra herë marrëveshjen dhe aneksin e Ohrit, e cila siç tha ajo, qartë i kërkon që mos ta shkelë integritetin territorial të Kosovës.
“Mjafton që të lexohet marrëveshja dhe poashtu aneksi i Ohrit dhe të shikohet veprimi i palëve në terren për të ardhur tek një përfundim komplet objektiv që në këtë rast besoj nuk është vetëm i imi, por i secilit njeri që e lexon atë marrëveshje dhe atë ankes me objektivitet dhe i shikon veprimet e palëve me objektivitet. Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje e cila qartë i kërkon që mos ta shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njeh subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që mos të votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, që mos të përdorë dhunë në relacione ndërshtetërore dhe shumë parime të tjera”, tha ajo.
E para e shtetit poashtu theksoi se nga vetëpërmbledhja e BE-së, Serbia nuk ka zbatuar më shumë se gjysmën e marrëveshjeve që janë nënshkruar në këtë 12-vjeçar e më shumë në dialogun mes të dyja shteteve.
“Është e qartë se cila është pala e cila po shkelë marrëveshjet e veta, ajo që do të duhej të ndodhte në këtë periudhë që do ta lehtësonte zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje, është mungesa e një plani të zbatimit i cili ende është duke u hartuar në Bruksel sepse nuk ka pasur trajtim të plotë. Edhe unë si presidente kam qenë kundër një plani që më është propozuar nga ndërmjetësuesi sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që ka Serbia nga ky plan të jenë në fillim të zbatimit, kurse ato të Kosovës të jenë në fund. Nuk ka pasur balanc, as zbatim paralel të kësaj marrëveshje sipas atij plani sekuencues. Kërkoj që të ketë trajtim të barabartë të palëve. Si Kosova ashtu edhe Serbia të zbatojnë në mënyrë paralale obligimet e tyre”, tha Osmani.