Konjufca për ish-deputetet: Kosova vazhdon të ecë në hapat e tyre

Konjufca për ish-deputetet: Kosova vazhdon të ecë në hapat e tyre

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha sot se në historinë e krijimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, janë gravuar emrat e shumë grave që përgjatë etapave të ndryshme e dhanë kontributin dhe shembullin e tyre të jashtëzakonshëm.

Në seancën shënjuese me të gjitha ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me temën “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”, ai kujtoi 2 korrikun e vitit 1990, kur 114 delegatët në mesin e të cilëve ishin 18 gra, para dyerve të Kuvendit të rrethuar nga forcat ushtarako-policore të regjimit të atëhershëm serb, shpallën Kosovën Republikë.

“Në historinë e krijimit dhe konsolidimit të shtetit tonë, Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe demokratik janë të gravuar emrat e shumë grave që përgjatë etapave të ndryshme e dhanë kontributin dhe shembullin e tyre të jashtëzakonshëm. Nuk mund të flasim për progresin dhe për sfidat e të tashmes sa i përket barazisë gjinore pa rikujtuar proceset madhore që na sollën deri këtu ku jemi edhe pa u rikthyer në zanafillën e Kuvendit të Kosovës, që daton këtu e 23 vjet më parë.

“Nuk mund të mos e kujtojmë vitin 1990 dhe 2 korrikun kur 114 delegatët e Kuvendit, në mesin e tyre 18 gra deputete si përfaqësues të vullnetit të popullit para dyerve të këtij Kuvendi dhe të rrethuar nga forcat ushtarako-policore të regjimit të atëhershëm serb e miratuan deklaratën e lavdishme kushtetuese dhe e shpallën Kosovën Republikë. Ne kemi ecur në hapa të tyre. Çdo veprimtar, Çdo aktivist, të gjitha ato gra që dhanë kontributin e tyre kanë ecur në këtë rrugë dhe në këtë konsistencë dhe kështu kemi ardh edhe në vitin 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ju përkulemi dhe i nderojmë që pavarësisht rrethanave të asaj kohe, ishin këmbëngulëse në misionin që kishin”, tha Konjufca.

Kryekuvendari poashtu kujtoi deputeten Nekibe Kelmendi dhe bashkëshortin e saj Bajram Kelmendi, të cilët nuk jetojnë më.

“Nekibe Kelmendi, veprimtare politike që punoj me devotshmëri për ndërtimin e shtetit tonë. Ajo bashkë me bashkëshortin e saj Bajram Kelmendin e bën padinë e parë për krimet e Serbisë. Ata padinë e dorëzuan në Hagë, dhe si hakmarrje, Serbia vrau Bajram Kelmendin me dy djemtë e tyre, Kastriotin dhe Kushtrimit, që ishte krimi më i tmerrshëm që u krye nga Serbia”, tha ai