Ish-komandanti i FSK-së, Kastrati: Serbia përmes luftës synon të realizojë projektin për “botën serbe”
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se sulmi nga grupi terrorist serb më 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit i ka bërë të qarta qëllimet e Serbisë që janë të interesuar për të ndezur konflikt në pjesën veriore të Kosovës, sipas tij, si qëllim final e kanë aneksimin e asaj pjese.
Ai ka theksuar se Serbia dëshiron që t’i realizojë idetë dhe qëllimet e veta në Ballkanin Perëndimor.
“Në vazhdimësi Serbia me gjuhën e vet me veprimet e veta ka treguar një politikë jo stabilizuese përkundrazi destabilizuese jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe Ballkanit në përgjithësi. Fitorja e Vuçiqit në Serbi dhe përkrahja nga nacionalistët serbë në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në Kosovë, tregon qartë se Serbia nuk është ndalur dhe nuk është duke u ndalë drejtë ecjes në rrugëtimin e saj për të arritur atë konceptin e vet ‘bota serbe’. Për të arritur këtë nuk mundet në formë paqësore, përmes luftës ajo ka synim që të arrijë një qëllim të tillë”, ka thënë Kastrati, në Klan Kosova.
Kastrati ka folur edhe rreth asaj se a është e gatshme Kosova që t’iu përgjigjet sulmeve më të mëdha terroriste nga Serbia.
“Kisha thënë e kisha rekomanduar fuqishëm kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që t’i dëgjojë kërkesa e njësive speciale në përgjithësi, ata njerëz janë ata që e bartin komplet edhe rrezikun, edhe komplet barrën e këtyre sulmeve terroriste në atë pjesë të Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, unë kam shumë miq dhe i njoh shumë mirë, janë në gjendje që të japin edhe jetën e tyre. Mirëpo, këta duhet të jenë të stimuluar dhe të paguar dhe duhet të jenë të pajisur ashtu siç ata dëshirojnë dhe është e paraparë me ligj”.
“Për këtë arsye si Republikë e Kosovës, si institucioneve të sigurisë janë të trajnuara dhe të gatshme të ballafaqohen me grupe më të vogla terroriste. Kurse nëse ndodh një sulm më i madh me njësite me shumë, atëherë KFOR-i si reagues i tretë është çdo herë në gjendje gatishmërie për t’i dal në ndihmë Policisë së Kosovës. Por edhe FSK-ja është këtu për ta kryer misionin e vet, bazuar në ligjet që janë të aprovuara në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kastrati.