Barcelona “luftë” me Napolin për një biletë në çerekfinale, Arsenali do përmbysjen ndaj Portos
Champions League sonte në mbrëmje premton spektakël me dy ndeshje që kanë lënë gjithçka të hapur për çështjen e kualifikimit në çerekfinale. Barcelona dhe Napoli luajnë sonte duelin e kthimit, pasi ndeshja e parë e luajtur në stadiumin “Maradona” përfundoi në barazim 1-1.
Katalanasit vjnë me shumë mungesa pasi nuk do të kenë Pedrin, Gavin, de Jong, Ferran Torres, Balde dhe Marcos Alonso, ndërsa Rapinha është në pikëpyetje për ta nisur nga fillimi për shkak të një lëndimi që pësoi në fundjavë.
Nga ana tjetër Napolit i mungon vetëm blerja e verës Cajuste, duke patur në dispozicion thuajse grupin e plotë. Aurelio de Laurentis ka bërë gati një premio prej 10 milionë eurosh nëse skuadra arrin të sigurojë Botërorin e klubeve nëpërmjet Champions League. Por fillimisht i duhet të eliminojë Barcelonën dhe të kualifikohet në çerekfinale.
Ndërkohë në Londër, në orën 21:00, Arsenal pret Porton me qëllimin për të përmbysur humbjen 1-0 të tre javë më parë në Portugali. “Topçinjtë” që udhëheqin Premier League dhe po kalojnë një formë shumë të mirë. Porto nga ana tjetër i beson eksperiencës së disa prej lojtarëve që luajnë prej vitesh në kompteticionin më të rëndësishëm për klube.