Mbahet takimi i krerëve të institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, mori pjesë në takimin e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili u mbajt online të mërkurën.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Auditorëve, SIGMA dhe Grupit Punues të Komitetit të Kontaktit për Aktivitete të Përbashkëta të Auditimit (JWGAA).
Qëllimi i takimit ishte miratimi i Kornizës së re të bashkëpunimit në Rrjet si dhe diskutimi për Raportin e progresit për zbatimin e Planit të Punës së Rrjetit 2022-2025 dhe aktiviteteve të ardhshme, duke përfshirë prezantimin e aktiviteteve të kryera në kuadër të Programit të Trajnimit të Auditimit të Performancës.
Auditori i Përgjithshëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Hrvoje Tvrtković, si kryesues i takimit, falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe kontributin e dhënë për realizimin e aktiviteteve në kuadër të Rrjetit.
Në takim nga Zyra Kombëtare e Auditimit morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj si dhe drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj.