Kombëtarja U20 zhvillon kamp stërvitor treditor
Kombëtarja e Kosovës U20, e cila është krijuar së fundmi, në kuadër të zgjerimit të ekipeve kombëtare të grupmoshave, është grumbulluar sot në Kampin Nacional në Hajvali.
Ky kamp, i cili do të zgjasë tre ditë, u shërben futbollistëve të cilët për shkak të moshës nuk mund të jenë pjesë e Kombëtares U19, por edhe atyre që kanë kapacitet por që nuk kanë hapësirë të mjaftueshme tek klubet e tyre, e që të dëshmojnë vlerat e tyre dhe në të ardhmen të jenë konkurrentë për Kombëtaren U21.
Përzgjedhësi i Kombëtares U20, Bekim Isufi theksoi se futbollistët e ftuar kanë talent, por kanë nevojë t’u jepet më shumë hapësirë në klubet e tyre.
“Mendoj se do të nxjerrim lojtarë për Kombëtaren U21, të cilëve po ashtu do t’u tregojmë se duhet të punojnë shumë. Fokusi dhe monitorimi është tek ata, teksa gjithçka u mbetet klubeve dhe individëve të punojnë më shumë. Nëse në klubet e tyre u jepet më shumë mundësi ata do të ftohen edhe në grumbullimet e radhës sepse kanë kualitet, por gjithçka varet prej klubeve të cilët shumë pak po u japin hapësirë futbollistëve të rinj”, theksoi Isufi.
Në anën tjetër futbollistët pjesëmarrës u shprehen të lumtur për ftesën, derisa shpresojnë që angazhimi në Kombëtaren e Kosovës U20, do të jetë shkas që të njëjtit të gëzojnë më shumë hapësirë në skuadrat respektive.
Për më shumë ndiqeni materialin videon e mëposhtme: