Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

Mbi 300 raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë. Ndërkaq, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind. Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë tek gratë, tek meshkujt është ai i mushkërive.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, në një intervistë për KosovaPress thotë se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencon se pritet që në fillim të muajit majit të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.

Kurtishi përmend disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e rasteve me këtë sëmundje malinje, duke përfshirë ata gjenetikë, të ambientit të jashtëm, moshën, gjininë e të tjerë.

“Këtë vit në muajin janar kemi regjistruar 150 raste dhe në muajin shkurt rreth 170, pra mbi 310 raste janë për dy muaj. Që në krahasim me vitin 2023 dy muajt e parë, kemi gati për rreth 10-12 për qind më shumë dhe ky trend vazhdon të jetë i lartë, njëjtë sikurse vitin e kaluar. Pasi që në vitin 2023 shënon një numër të lartë të rasteve të reja, për herë të parë në Kosovë, mbi 2 mijë persona. Pra, kemi regjistruar në vitin 2023, 2 mijë e 130 persona, ndërsa në vitin 2022 kanë qenë të regjistruar ose të identifikuar dhe të trajtuar në Klinikën e Onkologjisë si raste të reja rreth 1 mijë e 750 persona. Bëhet fjalë për tumoret tek të rriturit dhe jo për tumoret e fëmijëve dhe jo për tumorët hematologjik që trajtohen nga dy klinikat e tjera…Forma më e shpeshtë e këtyre sëmundjeve është kanceri i gjirit që dominon tek femrat dhe në përgjithësi është tumori më i shpeshtë, ndërkaq tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive, kurse menjëherë pas këtyre dy formave të kacereve, prijnë tumoret e zorrës trashë”, thotë Kurtishi.

Përveç këtyre, Kurtishi tregon se në gjatë muajit prill ose në fillim të muajit maj pritet që të përfundojnë punimet në Klinikën e Onkologjisë, për çka thotë se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

Krahas kësaj, drejtori i kësaj klinike thekson se do të bëhet edhe dixhitalizimi i shërbimeve, me ç’rast do të sigurohen informatat të sakta mbi aktivitete që zhvillohen në këtë klinikë.

Kurtishi potencon se shumë shpejtë planifikohet të bëhet përgatitja më e sofistikuar e ilaçeve të citostatikëve, e cila sipas tij do ta rrisë në maksimum sigurinë e ilaçit dhe të dozimit.

“Klinika e Onkologjisë, sipas punë kryesit i cili është duke bërë një punë të jashtëzakonshme, ajo do të përfundojë para afatit të paraparë dhe mendojmë që prilli, ose fillimi i majit, aspekti infrastrukturor të jetë i gatshëm dhe të pajisim edhe me inventar. Dhe klinika të jetë një klinikë e vogël, por shumë moderne dhe me kapacitete të zgjeruara dhe do të kemi dyfishim të numrit të shtretërve. Së paku 90 pacientë do të jenë në gjendje të marrin në të njëjtën kohë terapinë, që do ta lehtësojnë shumë punën e infermierëve dhe do të jetë një shpërndarje më e mirë e ilaçeve, një komoditet më i madh për pacientët…Ajo që do t’i shtohet klinikës dhe që është shumë benefit dixhitalizmi i shërbimeve në klinikë dhe ne do të kemi informata të sakta mbi secilin aktivitet që bëhet në klinikë, secili shërbim që ne e ofrojmë dhe ndoshta shumë shpejtë, këtë vit, ose vitin e ardhshëm do të bëjmë edhe përgatitjen më të sofistikuar të ilaçeve të cito statikëve e cila do ta rriste në maksimum sigurinë e ilaçit, dozimit”, shprehet Kurtishi.

Ndër të tjera, profesionisti i shëndetësisë, Ilir Kurtishi potencon se shqetësues mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avancuara të sëmundjes.