Egjipti: Bisedimet për armëpushim në Gazë përfundojnë pa sukses
Negociatat treditore me Hamasin rreth armëpushimit në Gazë dhe lirimit të pengjeve izraelite përfunduan të martën pa sukses, sipas zyrtarëve egjiptianë.
Dy zyrtarë të Egjiptit njoftuan se raundi i fundit i diskutimeve ka përfunduar. Ata thanë se Hamasi ka prezantuar një propozim që ndërmjetësit do ta diskutojnë me Izraelin ditëve të ardhshme.
Hamasi ka kundërshtuar lirimin e rreth 100 pengjeve që po mban, dhe kthimin e kufomave të rreth 30 të tjerëve, nëse Izraeli nuk e ndërpret ofensivën, nuk tërhiqet nga Gaza dhe nuk liron një numër të madh të burgosurish palestinezë, përfshirë militantë të lartë që po vuajnë dënim të përjetshëm.
Zyrtarët amerikanë deklaruan se nuk kanë besim se Hamasi është i interesuar për arritjen e një marrëveshje duke pasur parasysh se grupi militant ka kontestuar kërkesat që Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët besojnë se janë legjitime, përfshirë dhënien e listave me emrat e pengjeve që do të lirohen.
“Hamasi duhet të vendosë nëse është i gatshëm të angazhohet,” deklaroi të martën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
E kemi një mundësi për armëpushim të menjëhershëm për t’i kthyer pengjet në shtëpi, që mund të rrisë shumëfish sasinë e ndihmës humanitare për palestinezët në nevojë dhe mund të krijojë kushtet për një zgjidhje të qëndrueshme,” tha Blinken.