Franca, vendi i parë në botë që mund të bëjë abortin të drejtë kushtetuese
Franca pritet të përfshijë të drejtën e abortit në Kushtetutën e vet të hënën, në një Kongres të rrallë parlamentar në Pallatin e Versajës, pas miratimit të projektligjit në Senat.
Nëse Kongresi e miraton vendimin, Franca do të bëhet vendi i vetëm në botë që e mbron qartë të drejtën për t’i dhënë fund një shtatzënie, raporton Rel.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, është zotuar vitin e kaluar se do ta përfshijë të drejtën e abortit – hap ligjor në Francë prej vitit 1974 – në Kushtetutë, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e pati përmbysur më 2022 ligjin që e mundëson këtë procedurë.
Aktualisht është në dorën e secilit shtet në SHBA që të vendosë për ndalim apo lejim të procedurës.
Dhoma e ulët e Parlamentit të Francës e ka miratuar me shumicë vendimin që e bën abortin “liri të garantuar” në Kushtetutë.
Përmes një votimi historik më 28 shkurt, më shumë se 80 për qind e votuesve në Senatin e dominuar prej konservatorëve ia kanë dhënë dritën e gjelbër projektligjit.
Tani dokumenti pritet të kalojë edhe në fazën e fundit në një takim të rrallë që zhvillohet të hënën.
Tri të pestat e deputetëve do të duhet të votojnë për projektligjin, në mënyrë që ai të miratohet.