Sarrazin: Rruga e zgjedhur nga Kurti në dialog, mund të mos jetë në interesin e Kosovës
Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se rruga në të cilën po ecën Qeveria Kurti në dialogun me Serbinë, në plan afatgjatë mund të mos jetë në interesin e mirë të Kosovës për afrim me BE-në.
Sarrazin tha se rruga e zgjedhur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund të çojë në humbjen e mundësive për të shkuar drejt Bashkimit Evropian.
“Rruga në të cilën po ecën qeveria e zotit Kurti në dialog, në planin afatgjatë, kam frikë se kjo mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian. Kam frikë se kjo mund të çojë më shumë në një drejtim të mbështetjes tek vetja dhe humbjes së mundësive për të shkuar drejt Bashkimit Evropian”, tha ai për ABC News.
Tutje, Sarrazin i kërkoi Kosovës dhe Serbisë më shumë vullnet politik në dialog, dhe palët të ndërmarrin veprime konkrete, pasi sipas tij, nuk është detyrë e BE-së që të jetë arbitër.
Ai po ashtu i kërkoi Serbisë që të shkojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe t’i vendosë sanksione Rusisë.