Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Albi Mall Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për xhiron e 11-të. Këtë vlerësim e ka fituar futbollisti i FC Feronikeli 74, Albin Prapashtica.
Prapashtica ishte ndër protagonistët kryesorë në fitoren e skuadrës së tij ndaj FC Dukagjinit, me rezultat 3:0, duke realizuar dy gola dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në sigurimin e tri pikëve.
Pas marrjes së çmimit, Prapashtica u shpreh i lumtur për vlerësimin, duke theksuar se skuadra po arrin gradualisht të gjejë formën e duhur.
“Në ndeshjet e para kemi pasur pak vështirësi të komponohemi, edhe pse kemi bërë lojëra shumë të mira. Por, tash hap pas hapi jemi duke u komponuar mjaft mirë dhe mendoj se çdo ditë e më shumë do ta tregojmë veten dhe do të arrijmë sa më shumë fitore”, deklaroi ai.
Duke folur për fitoren ndaj FC Dukagjinit, Prapashtica vlerësoi përgatitjen e stafit teknik dhe analizën e kundërshtarit, duke theksuar rëndësinë e tri pikëve pas humbjes në ndeshjen paraprake.
“E kemi ditur që do të jetë një përballje shumë e vështirë, mirëpo stafi e ka bërë punën mjaft mirë, duke analizuar kundërshtarin në çdo aspekt. Kemi arritur të marrim një fitore shumë të rëndësishme, duke e ditur se pikët na duheshin dhe se jemi kthyer te fitorja pas një humbjeje në minutën shtesë para kësaj loje”, tha Prapashtica.
Në fund, ai falënderoi stafin teknik dhe bashkëlojtarët për kontributin e tyre, si dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme.
“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që jam këtu. Një falënderim shkon për stafin dhe bashkëlojtarët, sepse pa ta nuk do të ishte i mundur ky çmim. Dua ta falënderoj edhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme”, përfundoi ai.
Vlerësimi për “Yllin e Javës” bëhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në kuadër të bashkëpunimit të FFK-së me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall.

