Memli Krasniqi, bashkë me presidenten Osmani, pjesë e Forumit të nivelit të lartë Diplomatik të Antalisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë (ADF), ku do të jenë prezentë përfaqësues nga 147 vende të botës nën temën “Ngritja e diplomacisë në mes të krizës”.
Këtë vit, në këtë forum do të marrin pjesë rreth 4.500 pjesëmarrës, duke përfshirë 19 krerë shtetesh, 73 ministra dhe 57 përfaqësues ndërkombëtarë.
Në këtë forum pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është i vetmi nga liderët e partive politike nga Kosova, i cili është ftuar dhe po merr pjesë në këtë forum ndërkombëtar.
Kryetari i PDK-së tashmë ka njoftuar për takimin e tij të parë në kuadër të këtij forumi me zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, nga i cili ka kërkuar mbështetjen për njohje të reja dhe anëtarësim të Kosovës në NATO dhe Këshill të Evropës.
Ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosoje, Lidhja Demokratike e Kosovës apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për mospjesëmarrjen e liderëve të tyre në këtë Forum të nivelit të lartë.
Më shumë se 50 panele do të mbahen në forum nga 1 deri më 3 mars dhe do të shfaqen disa ekspozita. Forumi do të mbulojë tema të ndryshme si çështjet globale, diplomacia, siguria, kriza klimatike, migrimi, islamofobia, luftërat tregtare dhe inteligjenca artificiale.