Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), përmes së cilës kërkoi që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare.

Rezoluta kërkon gjithashtu që BE-ja ta ketë një buxhet më efikas, në mënyrë që të jetë në gjendje ta përballojë zgjerimin me vende të reja anëtare.

Rezoluta u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 deputetë votuan kundër dhe 71 abstenuan.

Bashkimi Evropian, aktualisht, për secilin vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku hyn edhe procesi i zgjerimit, duhet të gjejë konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar përmes vetos, edhe kur të gjitha tjerat ishin në favor.

Kjo është rezoluta e fundit për procesin e zgjerimit që miraton Parlamenti Evropian në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja në bllok do të mbahen në qershor.

Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit, ndërkaq me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

Parlamenti Evropian mbështet edhe integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun unik të BE-së përgjatë procesit të zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtare formale të bllokut.

“BE-ja ka nevojë për një vizion afatgjatë politik dhe për reforma institucionale dhe financiare për të siguruar kapacitete për absorbimin e anëtarëve të ri”, thuhet në tekstin e rezolutës të cilën e kanë miratuar deputetët e Parlamentit Evropian të enjten.