Elektrosever” njofton se ka nisur faturimi i energjisë elektrike në veri

Elektrosever” njofton se ka nisur faturimi i energjisë elektrike në veri

Kompania “Elektroseveri” ka njoftuar se nga e enjtja do të nisë me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike në katër komunat veriore, Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin-Potok.

Sipas njoftimit për media, qytetarët e këtyre komunave nuk do të paguajnë aq sa shpenzojnë, por faturën do ta marrim me çmim paushall prej 21.60 euro.

Bashkë me atë faturë, përdoruesit do të pajisen me një kopje të kontratës për inspektim, si dhe një njoftim për furnizuesin “Elektrosever”.

“Me pagesën e një shume prej 21.60 euro, Marrëveshja e Furnizimit me kompaninë ‘Elektrosever’ do të konsiderohet e lidhur. Zyrtarët e ‘Elektroseverit’ do t’ua sjellin qytetarëve për nënshkrim marrëveshjet për furnizimin me energji elektrike”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndër vite, shpenzimet e bëra në veri janë paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, ndërsa nga viti 2017 e këndej nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) dhe nga subvencionet e Qeverisë së Kosovës.

Për ta zgjidhur këtë çështje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk u zbatua me vite, derisa dy vendet ranë dakord për një udhërrëfyes për zbatimin e saj në vitin 2022.

Me këtë udhërrëfyes, obligimin për furnizimin dhe faturimin e energjisë elektrike në veri e mori kompania serbe “Elektrosever”, e cila u pajis me licencë të operimit në Kosovë po atë vit.