Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi dhe Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi, janë pritur në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka – Pula.
Me këtë rast, Kryesuesi i KPK-së dhe Kryeprokurori i Shtetit uruan znj Shiroka-Pula për zgjedhjen e saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, ata e njoftuan atë për zhvillimet në sistemin prokurorial dhe për vështirësitë me të cilat përballen veçanërisht për mungesën e buxhetit të mjaftueshëm dhe sfidat infrastrukturore që ndikojnë në funksionimin e institucioneve të Prokurorit të Shtetit.
Të dy udhëheqësit e sistemit prokurorial, Arian Gashi dhe Zejnullah Gashi, theksuan rëndësinë e mbështetjes institucionale për adresimin e këtyre sfidave, si parakusht për përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial dhe për avancimin e reformave në drejtësi.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, shprehu përkushtimin e saj për të përkrahur reformat në drejtësi dhe për të mbështetur institucionet e drejtësisë në përballimin e sfidave me të cilat ballafaqohen.
Në këtë kontekst, ajo theksoi rëndësinë e adresimit të sfidave buxhetore, të mbështetjes së nevojshme institucionale dhe të avancimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Në përmbyllje të takimit, të gjithë bashkëbiseduest u pajtuan që ruajtja e pavarësisë institucionale, forcimi i sundimit të ligjit dhe mbështetja e reformave në drejtësi mbeten elemente thelbësore për funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe për përmbushjen e përgjegjësive të tyre në shërbim të qytetarëve.

