Zelensky për herë të parë në Tiranë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Tiranë. Nga fronti i luftës, Zelensky mbërriti pak para mesnate në Rinas për të marrë pjesë në samitin për Ukrainën që mbahet sot në Tiranë.
Lideri ukrainas u prit në aeroport nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në Rinas ishin të pranishëm edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali dhe ambasadori ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shkurov.
Vizita e Presidentit Zelensky shoqërohet nga një agjendë e ngjeshur. Takimet nisin me pritjen zyrtare të kryeministrit Rama në orë 09:00, e shoqëruar më pas nga një takim kokë më kokë mes udhëheqësve në kryeministri. Më 09:30 bëhet një takim bilateral mes dy delegacioneve, firmosjen e marrëveshjeve më 10:10 dhe më pas palët do t’i drejtohen Pallatit të Kongreseve nga ku në këtë tapet të kuq do të mbërrijnë në Samitin e organizuar nga Qeveria Shqiptare, 13 udhëheqës të 13 shteteve nga Europa Juglindore.