Presidenti Ademi shkruan në ‘Facebook’ për nënshkrimin e memorandumit FFK – MM
Federata e Futbollit e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt promovimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në të mirë të komunitetit në Kosovë.
Krerët e dy institucioneve, Agim Ademi dhe Ejup Maqedonci, të martën kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit në një takim të mbajtur në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Për arritjen e këtij memorandumi ka shkruar në “Facebook” edhe presidenti Ademi.
Ai ka theksuar se është krenar me arritjen e nënshkrimit të këtij memorandumi.
“Jam krenar që sot kemi nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për të koordinuar veprimet në ndihmë të komuniteteve tona. Me këtë marrëveshje, ne si FFK dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës do të bashkëpunojmë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në të gjithë Kosovën. Pjesë e këtij memorandumi është edhe donacioni i FSK-së për Kampin Nacional në Hajvali, por edhe mbështetja jonë për FSK-në në mirëmbajtjen e fushave me bari natyral në të gjitha kazermat si dhe përkrahja e aktiviteteve të tyre sportive. Si president i FFK-së jam i lumtur që me bashkëpunime të tilla po arrijmë t’u japim mundësinë të gjithëve atyre që e duan futbollin të jenë pjesë e tij dhe të kenë mjedis sa më të mirë për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Faleminderit Ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrit Ejup Maqedonci për bashkëpunimin e sinqertë dhe të vazhdueshëm! Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi, bashkë për futbollin!”, ka shkruar presidenti Ademi.