Krasniqi në Zvicër: Politikanët dhe Qeveritë e papërgjegjshme janë të përkohshme, Kosova është e përjetshme

Krasniqi në Zvicër: Politikanët dhe Qeveritë e papërgjegjshme janë të përkohshme, Kosova është e përjetshme

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, së bashku me shumë zyrtarë tjerë të partisë, kanë marrë pjesë në shënimin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Aargau, që u organizua nga Dega e PDK-së në Zvicër.

Gjatë këtij manifestimi, Krasniqi tha se mërgimtarët janë shtylla e kombit dhe e shtetit tonë, edhe pse të shpërndarë në mbarë globin.

“Edhe pse larg atdheut, ju keni sakrifikuar gjithçka për të mbajtur gjallë ëndrrën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.  Sot, unë qëndrojë me krenari përkrah emigrantëve tonë të suksesshëm në çdo cep të botës – individëve që i kanë sjellë nder dhe lavdi emrit të Kosovës dhe kombit shqiptar përmes punës se paepur dhe suksesit maksimal. Të gjithë, pa përjashtim, me mburrje thonë se janë nga Kosova: nga Granit e Taulant Xhaka, Xherdan Shaqiri e deri te Dua Lipa dhe Rita Ora. Kjo është krenari dhe këtë askush nuk mund të na e marrë”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, ai ka shtuar se mërgimtarët janë katalizatori i secilit zhvillim të rëndësishëm në historinë e vendit tonë. Dhe, si të tillë, ata janë pjesë përbërse, e pandashme dhe tejet e nevojshme edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Prandaj, përfshirja e juaj në jetën politike dhe kontributi juaj i drejtpërdrejtë është i domosdoshëm. Unë që sot dëshiroj të ju them se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që priten të mbahen këtë vit, PDK jo vetëm që do të kandidojë përfaqësues të degëve tona nga mërgata, duke filluar këtu nga Zvicrra, por jam i bindur se edhe do të kemi përfaqësuesit tuaj si deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

“Sepse Kosova ka nevojë për ju. Dhe ne jemi mirënjohës për punën tuaj të madhe”, tha ai.

Në këtë përvjetor të pavarësisë, Krasniqi përmendi edhe mungesën e madhe të burrë shtetasve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe shokëve të tyre.

“Nuk është e plotë, sepse në festën tonë po mungojnë ata që do duhej të ishin në ballë të shënimit të kësaj dite – çlirimtarët e vendit tonë, më meritorët e shtetit tonë, shpallësi i pavarësisë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe shokët e tyre.  Po mungojnë, padrejtësisht, ata të cilët një jetë ia kushtuan luftës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim të Kosovës. Prandaj, nga këtu, nga ky tubim madhështor, edhe sot u dërgojmë përshëndetjet tona më të ndjera heronjve tanë në Hagë, të cilët me guxim dhe vendosmëri po zhvillojnë betejën e fundit për të dëshmuar pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së popullit tonë për liri”, tha Krasniqi.

Lideri i PDK-së shtoi se së bashku duhet të festojmë jo vetëm triumfet e së kaluarës sonë, por edhe duhet përballemi me realitetet e zymta që e përcaktojnë të tashmen tonë.

“Kosova jonë e dashur, vendi ynë i shpresës dhe i lirisë, e gjen veten të zhytur në thellësitë e dëshpërimit, e prangosur nga zinxhirët e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së një Qeverie të korruptuar në shpirt dhe pa ideale kombëtare. Qeveria jonë, e ngarkuar me detyrën e shenjtë për t’i shërbyer interesave të popullit, ka dështuar mjerisht. Nëpërmjet veprimeve të saj, ajo ka vënë në rrezik edhe marrëdhëniet tona të fituara me vështirësi me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke na lënë të izoluar në skenën botërore”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Krasniqi tha se pasojat e veprimeve të kësaj Qeverie shtrihen shumë përtej sferës së diplomacisë.

“Ata po u shkaktojnë vuajtje të panumërta qytetarëve tanë, duke rrënuar ekonominë, shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, kulturën, mjedisin dhe cilindo sektor tjetër. Më shumë se tri vite në pushtet, asnjë projekt serioz dhe i madh për vendin tonë nuk është realizuar nga kjo Qeveri. Fatkeqësisht, sot, Kosova dhe qytetarët e saj janë në dëshpërim”, tha Kryetari Krasniqi.