NP “Termokos” ka nisur furnizimin me ngrohje për qytetarët e Prishtinës që janë të kyçur në rrjetin e saj, duke shënuar fillimin e sezonit ngrohës 2026/2027.
Sipas njoftimit të kësaj ndërmarrjeje, furnizimi ka filluar me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, me qëllim të garantimit të sigurisë së pajisjeve dhe funksionimit të qëndrueshëm të sistemit.
Nga “Termokos” bëhet e ditur se procesi i marrjes së avullit nga KEK-u, prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë ngrohëse është realizuar me sukses, në bashkëpunim me KEK-un, KEDS-in dhe KRU “Prishtina”.
Ndërkaq, ekipet e kësaj ndërmarrjeje janë në gatishmëri për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ngrohje gjatë sezonit 2026/2027.

