Osmani: Ne i qëndrojmë përkrah Ukrainës, liria do të triumfojë

Osmani: Ne i qëndrojmë përkrah Ukrainës, liria do të triumfojë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova i qëndron përkrah Ukrainës në dyvjetorin e pushtimit të saj nga Rusia, duke nënvizuar se “ne e dimë se si është ta paguash çmimin më të lartë për liri”.

“Ne e dimë çfarë është dhimbja për humbjen e fëmijëve të pafajshëm; për dhunën seksuale në luftë; për varret masive me eshtrat e më të dashurve tanë. Por, liria triumfoi dhe do të triumfojë përsëri. Rroftë Ukraina”, shkroi Osmani në rrjetin social X.

Sot janë bërë dy vjet prej se Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Si pasojë e kësaj lufte kanë vdekur mijëra njerëz, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe dëmet materiale sa shkojnë e rriten.

Kosova i ka strehuar dhjetëra gazetarë ukrainas prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.

Kosova po ashtu është pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë për shkak të luftës së saj agresore në Ukrainë.