Komandanti i Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, ka pritur sot në vizitë komandantin e Komandës së Përbashkët Strategjike Ndërkombëtare, gjenerallejtënant Sebahattin Kilinç.
Gjatë takimit, të zhvilluar në Komandën e Forcave Tokësore (KFT), palët diskutuan për proceset aktuale të zhvillimit të FSK-së, me theks të veçantë në avancimin e kapaciteteve të Komandës së Forcave Tokësore.
Sipas njoftimit, pala turke ndau përvojat e Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë në zhvillimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve të personelit të FSK-së, duke përfshirë mundësitë për shkollim dhe trajnim në Turqi.
Në përmbyllje të takimit, të dyja palët vlerësuan lart bashkëpunimin dhe partneritetin ndërmjet dy forcave, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e tyre edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci falënderoi gjenerallejtënant Sebahattin Kilinç dhe delegacionin e tij për vizitën, si dhe për diskutimin e hapur dhe konstruktiv.

