Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se është përmbyllur projekti PIAKOS i Qendrës për Avokim dhe Trajnime (ATRC), i cili kishte në fokus rëndësinë e të drejtës së pronës dhe sigurinë juridike.
Kurti ka theksuar se dokumentacioni i pronësisë është thelbësor për garantimin e të drejtave pronësore, por edhe për krijimin e mundësive më të mira për financim, hapjen e bizneseve dhe zgjerimin e veprimtarive ekzistuese.
Sipas tij, regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve është rritur 300-fish në më pak se një dekadë.
Kurti ka theksuar se në vitin 2016 në Kosovë ishin rreth 100 prona të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në rreth 31 mijë.
Ai ka thënë se regjistrimi i pronave në emër të grave përbën një hap drejt barazisë dhe pavarësisë ekonomike të tyre, duke u mundësuar atyre të mbrojnë pronësinë dhe të marrin pjesë në vendimmarrjen për pasurinë.
Kurti ka ngritur gjithashtu çështjen e dokumentacionit kadastral, duke thënë se Serbia vazhdon të mos e zbatojë marrëveshjen e 2 shtatorit 2011 për këtë çështje.
Sipas tij, pavarësisht se Bashkimi Evropian ka ndarë dy milionë euro për zbatimin e marrëveshjes, Beogradi zyrtar nuk ka dorëzuar as kopjet e dokumentacionit kadastral, e as dokumentet origjinale.
Kurti ka theksuar se mungesa e këtyre dokumenteve e vështirëson verifikimin e historikut të pronave, zgjidhjen e mospërputhjeve dhe trajtimin e kontesteve pronësore, ndërsa pasojat i bartin qytetarët.
Ai ka vlerësuar se kthimi i dokumentacionit kadastral është i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave pronësore të qytetarëve dhe garantimin e sigurisë juridike.

