“Kjo qeveri ka dështuar sa i përket skemave pensionale dhe reformave sociale”

“Kjo qeveri ka dështuar sa i përket skemave pensionale dhe reformave sociale”

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një postim në “Facebook”, ka thënë se skemat pensionale dhe reformat sociale në Kosovë kanë dështuar.

Ai ka thënë se në muajin mars bëhet një vit prej që Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

Mes të tjerash Tahiri ka thënë se nga ndarja buxhetore për skema pensionale është diku rreth 550 milionë euro ndërsa për skema sociale diku rreth 158 milionë euro, dhe ka theksuar se në skemat pensionale dhe reformat sociale qeveria e Kosovës ka dështuar.

Postimi i tij i plotë:

Deshtimi me skemat pensionale dhe reformat sociale!

Në muajin mars bëhet një vit që kur Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”. Që nga ajo ditë e deri më sot nuk ka ndodhur asgjë veçse janë shpërndarë mjete pa kritere dhe pa koncept.

Në buxhetin e vitit 2024 ndarja buxhetore për skema pensionale është diku rreth 550 milionë euro ndërsa për skema sociale diku rreth 158 milionë euro. Pra, kjo qeveri ka deshtuar me skemat pensionale dhe reformat sociale të cilat tani më janë tejet parciale, karshi nevojës për një qasje të integruar për reformë.

Në krah të kundërt me reformën, qeveria ka shthurur strukturat institucionale, duke e shkrirë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i është larguar programit qeverisës si dhe ka devijuar në tërësi agjendën legjislative në këtë fushë. Në vend të reformës, rritjes së barazisë e sigurisë sociale, ka ndarë “lëmoshë”, praktika këto të këqija për të konsoliduar një sistem të mirëfillt.

Pasojat janë afatgjatë, madje indikative për shtytje në migrim. Pasiguria sociale, mungesa e sigurimit shëndetësor si dhe pabarazia janë rritur. Shto këtu edhe se dialogu social ka arritur në pikën më të ulët.

Për këtë, si Grup Parlamentar, kemi zhvilluar një seri diskutimesh me sindikatat. E, mbesim të vendosur të shtyjmë përpara në Kuvend, nisma legjislative që kthejnë vëmendjen e institucioneve ndaj qytetarëve, në veçanti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e ligjit diskriminues të përvojës së punës, ndaljen e tendecës përjashtuese të veteranëve nga përllogaritja e pensionit në nivel të pagës minimale, kërkesat e vazhdueshme për ngritje pagash, e së fundi kërkesa për seancë për trajtimin e Ligiit të Sigurimeve Shëndetësore.

Sot, u ndjeva mirë pasi që ishte rast i mirë të njihem, por edhe të diskutoj në prezantimin e hulumtimit “Propozim reforme drejt një nënshtetësie më të barabartë, inkluzive dhe të qëndrueshme”, organizuar nga Instituti “Musine Kokalari”. Një dokument tejet i vlefshëm për t’i shërbyer reformës së domosdoshme në fushën e kujdesit dhe mbrojtjes sociale.