Kosova do të investojë 41 milionë euro në modernizimin e shëndetësisë publike, përmes marrëveshjeve të nënshkruara me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB).
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka theksuar se investimet synojnë pajisjen e institucioneve shëndetësore me teknologji moderne, avancimin e diagnostikimit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Sipas Vitisë, investimet do të përfshijnë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), spitalet rajonale dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Në kuadër të fazës së dytë të projektit janë paraparë edhe investime në infrastrukturën shëndetësore.
Ndër projektet e planifikuara janë ndërtimi i korridoreve të ngrohta ndërmjet klinikave të QKUK-së, përmirësimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuara dhe ndërtimi i Qendrës së Hospisit, për të cilën tashmë është ndarë lokacioni.
Ministri Vitia ka bërë të ditur se Qendra e Hospisit do të ofrojë kujdes paliativ, lehtësim të dhimbjes dhe mbështetje për pacientët në fazë terminale dhe familjet e tyre.
Ai ka falënderuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, si dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen në fuqizimin e sistemit shëndetësor publik në Kosovë.
Sipas ministrit, këto investime synojnë krijimin e kushteve më moderne në institucionet shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore e më të qasshme për qytetarët.

