Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se të hënën në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas dy ngjarjeve tragjike që kanë tronditur qytetin.
Përmes një postimi, Hyseni ka bërë të ditur se pas vrasjes së dyfishtë të së premtes, Gjilani është përballur sonte edhe me një incident tjetër me pasojë humbjen e jetës.
Ai ka shprehur ngushëllime për familjet që humbën të dashurit e tyre, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.
Hyseni ka bërë të ditur se në mbledhjen urgjente do të koordinohen hapat e menjëhershëm me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera të rendit dhe ligjit, me qëllim të garantimit të rendit publik dhe sigurisë në të gjitha pjesët e komunës.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional”, ka shkruar Hyseni.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për maturi, qetësi dhe bashkëpunim të plotë me organet e rendit.
Reagimi i tij:
Të dashur qytetarë të Gjilanit,
Komuna jonë po përballet me një situatë të rëndë pas dy ngjarjeve tragjike. Pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten, qyteti ynë u prek përsëri sonte nga një tjetër incident me pasojë humbjen e jetës.
Në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këto dy ngjarje, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë.
Për të adresuar këtë gjendje, nesër në mëngjes do të thërras në mbledhje urgjente Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi. Së bashku me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe të gjitha organet e rendit dhe të ligjit, do të koordinojmë hapat e menjëhershëm për të garantuar rendin publik dhe sigurinë në çdo pjesë të komunës sonë.
Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional. Komuna e Gjilanit do të përdorë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.
I ftoj të gjithë qytetarët për maturi, qetësi dhe bashkëpunim të plotë me organet e rendit.

