Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka uruar 27-vjetorin e themelimit të kësaj partie, duke theksuar kontributin e saj në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Në një mesazh me rastin e përvjetorit, Hamza ka thënë se PDK-ja lindi në frymën e rezistencës, në një kohë kur Kosova kishte nevojë për forcë, guxim, vizion dhe përkushtim.
Ai ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke theksuar se partia e tij qëndron pas trashëgimisë së tyre politike.
Hamza ka thënë se, pas 27 vjetësh, përgjegjësia e PDK-së është ruajtja e trashëgimisë politike dhe vazhdimi i angazhimit për një Kosovë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për qytetarët.
“Jemi krenarë për të kaluarën. Qëndrojmë të bashkuar në të tashmen. Dhe punojmë me përgjegjësi për të ardhmen e brezave që vijnë”, ka shkruar Hamza.
Në fund, kryetari i PDK-së ka uruar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e partisë me rastin e 27-vjetorit të themelimit.

