Porosia e Osmanit: Qeveria dhe aleatët të ulen e të merren vesh për dinarin
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se problemi që lindi mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të BQK-së e cila e largon nga përdorimi dinarin serb në vend, është “mënyra se si u komunikua”.
Osmani tha se “gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Ajo tha se duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët për një plan zbatimi të rregullores së re të BQK-së.
Osmani tha se ka hapësirë “për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë”, për të punuar rreth kësaj çështjeje.
“Unë mendoj se është vetëm çështje komunikimi”, the presidentja në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e shpërndau sot në Facebook.
Osmani u shpreh e sigurt se do të zgjidhet çështja e dinarit, pasi tha se “nuk ka pse të mos zgjidhet”.
“Do të ishte qesharake të mos zgjidhej”, tha ajo.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë të enjten në një konferencë për media se padëgjueshmëria e Qeverisë në lidhje me dinarin veçke i ka prekur raportet mes shteteve.