U mbajtën testimet fizike për gjyqtarët e Ligës së Dytë

U mbajtën testimet fizike për gjyqtarët e Ligës së Dytë

Në prag të fillimit të stinorit pranveror në Ligën e Dytë, sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali janë mbajtur testimet fizike për gjyqtarët e këtij rangu.

Testimet janë mbajtur nën vëzhgimin e afërt të Komisionit të Gjyqtarëve, në krye me Përparim Hasanin.

Në total, 110 gjyqtarë morën pjesë në këto testime, e ku gjyqtarët demonstruan vendosmërinë e tyre për të qenë në formën e duhur fizike për të drejtuar ndeshjet e këtij stinori. Procesi u përcoll nga një ekip profesional, për të siguruar një vlerësim të saktë të gjendjes së tyre fizike.

Vetëm 8 gjyqtarë nuk arritën të kalojnë testimet fizike, që do të thotë se ata do t’i nënshtrohen një ritestimi më vonë për të vlerësuar përparimin e tyre.

Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani theksoi rëndësinë e kësaj faze përgatitore për të siguruar që gjyqtarët të jenë në gjendje optimale për të drejtuar ndeshjet në këtë stinor.

Ai u shpreh i kënaqur me gjendjen e gjyqtarëve dhe me përkushtimin e tyre për të qenë sa më të gatshëm fizikisht për stinorin pranveror.