Kosova shënon 16-vjetorin e pavarësisë

Kosova shënon 16-vjetorin e pavarësisë

Në Kosovë, përmes ngjarjeve të ndryshme po shënohet 16-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sikurse në ditën kur u shpall pavarësia 16 vjet më parë, Kosova “ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim”.

Ai tha se Kosova në 16 vjet, me ndihmën e partnerëve të saj, është bërë kontribuuese për paqe.

“Me mbështetjen nga aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës, një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuuese për paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave, drejtësinë sociale dhe solidaritetin i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror”, tha Kurti.

Duke folur për të viktimat e luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, ai tha se me nderimin e tyre, duhet të vazhdohet rruga për ndërtimin e shtetit.

“U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin e pavarësisë. Mirënjohje e veçantë për partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë.

“Qoftë gjithmonë e fortë Republika jonë. Ne i dalim zot”, tha Kurti.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë.

E para e shtetit tha se në këto 16 vjet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, teksa kujtoi dhe nderoi të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeparlamentari Konjufca tha se 17 shkurti është dita më e rëndësishme e shtetit të Kosovës,

“Sot është edhe ditë e festimit, pro edhe reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve”, tha ai, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë që kontribuan për pavarësinë e Kosovës.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.