Lajm i mirë për sportin, FFK dhe Komuna e Fushë Kosovës dakordohen për investim në stadiumin e qytetit

Lajm i mirë për sportin, FFK dhe Komuna e Fushë Kosovës dakordohen për investim në stadiumin e qytetit

Presidenti Agim Ademi ka zhvilluar sot një takim konstruktiv me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, ku u bisedua për projektet në fushën e futbollit në këtë komunë.

Gjatë diskutimit, krerët e dy institucioneve u dakorduan që të ndërmarrin një hap të rëndësishëm drejt avancimit të futbollit dhe përmirësimit të kushteve infrastrukturore në këtë komunë. Në këtë drejtim, Ademi dhe Berisha u pajtuan për investim të përbashkët në ndërtimin e stadiumit të qytetit, në mënyrë që aty të zhvillohen ndeshjet e Albi Mall Superligës.

Ky projekt synon të krijojë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e aktiviteteve futbollistike dhe njëherësh të ofrojë infrastrukturë komode për komunitetin e futbollit në Fushë Kosovë.

Së shpejti krerët e dy institucioneve do të nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit lidhur me këtë projekt, i cili do të krijojë mundësi më të mira për të rinjtë dhe qytetarët e kësaj komune për të ndjekur dhe praktikuar futbollin.

Si pasojë e mungesës së infrastrukturës së nevojshme, KF Fushë Kosova, që në këtë edicion është pjesë e elitës, ndeshjet si vendas është detyruar t’i zhvillojë në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, larg tifozerisë vendase.