“Dialogu, rruga e vetme e duhur”, porosia e Blinkenit për Kosovën
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian, është rruga e duhur dhe e vetme për dy vendet që të lëvizin përpara.
“Po bëjmë gjithçka të mundur për t’i mbështetur ato”, tha ai.
Kryediplomati amerikan i bëri komentet në një konferencë për gazetarë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten në Tiranë.
Ai tha se SHBA-ja do të punojë edhe me “Shqipërinë dhe të tjerët” për t’i ndihmuar Kosovën e Serbinë që të avancojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Shtoi se vendi i tij e di se çfarë ka ndodhur në rajon 30 vjet më parë, ndaj “nuk mund të ketë përsëritje të saj”.
““Për këtë arsye jemi të angazhuar t’i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe Evropën. Sa i takon Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë rruga e vetme e duhur dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur të dyja vendet që të përshkojnë këtë rrugë”, tha Blinken.
Blinken nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për një vendim të autoriteteve në Kosovë, që ndaloi përdorimin e dinarit serb në vend, pas më shumë se dy dekadash.