Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, përmes së cilës shpreh mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë dënuar në shkallën e parë me gjithsej 81 vjet burgim.
Për këtë deklaratë kanë votuar 99 deputetë.
Deklarata është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa teksti i saj është harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjatë seancës ka lexuar deklaratën, përmes së cilës Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të papranueshëm konstatimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.

