Gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, thanë autoritetet mëngjesin e së dielës. Operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Operacioni nxiti reagime të ashpra nga Lista Serbe dhe Serbia.
Prokuroria Speciale e Kosovës më vonë gjatë së dielës tha se të nëntë personat, me vendim të saj, janë ndaluar për 48 orë.
Ajo identifikoi të arrestuarit vetëm me iniciale: D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D, teksa listoi edhe se çfarë u sekuestrua si prova materiale gjatë kontrolleve në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Si prova, tha Prokuroria, u sekuestruan telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie, fishekë, katër predha, para të gatshme në vlerë prej 23 mijë eurosh dhe para të gatshme në vlerë pre rreth 60 mijë dinarësh serbë (rreth 500 euro).

