Serbët në Mitrovicë të Veriut protestojnë kundër ndalimit të dinarit
Në Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan të hënën kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb.
Në fillim të protestës, organizatorët thanë se përmes saj po ngrihet “zëri kundër padrejtësisë dhe përndjekjes së Prishtinës për të hequr dinarin e fituar me mund”, raporton Rel.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, përkundër kundërshtive nga serbët lokalë dhe faktori ndërkombëtar.
Protesta, që u përkrah nga sindikata e punëtorëve serbë që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, u mbajt pranë urës kryesore mbi lumin Ibër.
Pjesëmarrësit në protestë ishin nga të gjitha komunat ku jetojnë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Tek ura mbi Ibër ishin të pranishëm pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Vendimi për të hequr dinarin, për të na pamundësuar tërheqjen e pensioneve të merituara, do të thotë se po merret buka e gojës, po na ndërpritet jeta”, tha në emër të pensionistëve, Dushanka Qoroviq.
Ajo shtoi se është gënjeshtër që serbët mund të hapin llogari në bankat në Kosovë, sepse sipas saj, ato “nuk pranojnë fondin pensional serb”.
Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.
“Duhet të anulohet ky vendim dhe të mundësohet dërgimi i dinarëve në postat tona, në bankat tona”, tha Dushanka Qoroviq.
Në emër të punëtorëve shëndetësorë foli Dragisha Milloviq nga Qendra Spitalore Klinike, përndryshe nënkryetar i Listës Serbe.
“Ky vendim drejtpërdrejtë shënjestron popullin tonë serb dhe kërcënon mbijetesën dhe qëndrimin e tyre nëse mbetet në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zhbërjen e institucioneve serbe në këto zona”, tha Milloviq.
Milloviq ftoi përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadorët e shteteve të Quint-it që të ndalojnë vendimin e BQK-së dhe ai të shfuqizohet, duke shtuar se “[kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk ka të drejtë të ndalojë dinarin”.
Në emër të punëtorëve të arsimit, Vesna Martinoviq, që udhëheq shkollën fillore në Uglarë, kërkoi që “të mos mohohet e drejta për të fituar”, duke theksuar se vendimi i Prishtinës nënkupton se do t’iu vihet “çelësi të gjitha shkollave serbe”.
Sipas BQK-së, për të hapur një llogari në ndonjë prej bankave në Kosovë, nevojiten disa dokumente dhe më kryesore janë: një dokument identifikues [letërnjoftim apo pasaportë], një faturë komunale jo më e vjetër se tre muaj dhe një dëshmi mbi adresën ku jetoni, që mund të jetë certifikata e vendbanimit apo një faturë komunale në të cilën gjendet edhe adresa.