Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, mbahet simpozium për sëmundjen e epilepsisë

Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, mbahet simpozium për sëmundjen e epilepsisë

Përmes Simpoziumit “Epilepsia dhe shtatzënia”, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, me organizim të Shoqatës Kundër Epilepsisë së Kosovës, me mbështetjen e Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës.

Hapjen e këtij simpoziumi e bëri profesor Afrim Blyta, kryetar i Shoqatës së Neurologëve, i cili me këtë rast, tha se puna e mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë është një tregim që nuk përfundon, kurse esenca e organizimit të simpoziumeve të tilla është që të diskutohen arritjet e mëtutjeshme profesionale për profesionistët shëndetësorë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se takimet e tilla janë të mirëpritura ngase profesionistët e fushës kanë mundësinë të diskutojnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre nga fusha e Neurologjisë, në këtë rast për sëmundjen e Epilepsisë.

Kryetarja e Shoqatës Kundër Epilepsisë, prof. Valbona Govori, theksoi se këtë vit si temë boshte të diskutimeve kanë zgjedhur “Epilepsinë dhe shtatëzaninë”.

Në diskutimet e tyre, neurologë dhe profesionistë të tjerë mjekësor diskutuan për rastet e epilepsisë tek shtatzënat dhe menaxhimin e sëmundjes.