Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me të cilët ka diskutuar për sfidat me të cilat po përballet vendi.
Përmes një postimi, Hamza ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit, të së vërtetës për luftën dhe të vlerave për të cilat, siç është shprehur ai, janë sakrifikuar breza të tërë.
“Veteranët e UÇK-së bartin mbi supe pjesën më të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Ata qëndruan në ditët më të vështira dhe sakrifikuan për lirinë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka njoftuar gjithashtu se më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të marrë pjesë në tubimin e paralajmëruar së bashku me veteranët, studentët dhe qytetarët.
“Të gjithë bashkë kundër padrejtësisë!”, ka përfunduar Hamza.

