Llapi e fiton derbin ndaj Dritës, Gjilani barazon me Fushë Kosovën

Llapi e fiton derbin ndaj Dritës, Gjilani barazon me Fushë Kosovën

Janë zhvilluar sot dy ndeshjet e para të javës së 19-të në Superligën e Kosovës në futboll, që e hapën zyrtarisht stinorin pranveror.

Derbi i madh i kësaj jave i takoi Llapit, që në udhëtim e mposhti Dritën me rezultat minimal 0:1.

Goli i vetëm në ndeshje u shënua në minutën e katërt nga Arbnor Ramadani, i cili u asistua nga Diar Vokrri.

Me këtë fitore, Llapi tani shkon në kuotën e 37 pikëve në vendin e dytë, tri më pak se Ballkani që luan nesër.

Në anën tjetër, Drita mbetet në kuotën e 34 pikëve në pozitën e tretë E ndeshja tjetër mes Fushë Kosovës dhe Gjilanit e zhvilluar në Lipjan nuk prodhoi fitues.

Ndeshja në stadiumin “Sami Kelmendi” u mbyll me rezultatin 1:1. Senad Jarovic kaloi Gjilanin në epërsi në minutën e 40-të të ndeshjes. Jarovic arriti të shënonte edhe njëherë tjetër në minutën e 56-të, por goli u anulua nga VAR-i.

E në minutën e 76-të, Dorent Hajdari me super gol nga distanca barazoi shifrat.

Me këtë barazim, Gjilani pozicionohet në vendin e tetë me 19 pikë, kurse Fushë Kosova e nënta me 11 pikë gjithsej.