Bedri Hamza, kandidat konsensual i PDK-së për kryeministër?

Bedri Hamza, kandidat konsensual i PDK-së për kryeministër?

Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizohen zgjedhjet e rregullta parlamentare, të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, që zgjedhjet të konsiderohen të rregullta, ato duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit të parlamentit, e që në këtë rast i bie që ato të organizohen nga mesi i dhjetorit të 2024-s, raporton Objektivi.net.

Tashme partitë politike pothuajse kanë nisur një fushatë për zgjedhjet parlamentare, qoftë nëpër rrjete sociale apo edhe përmes deklaratave në mediume të ndryshme.

Derisa në shumicën e partive veçse dihen kandidatët për kryeministër, PDK-ja është duke mbajtur një debat të brendshëm, larg mediave, sa i përket kandidatit për kryeministër.

Objektivi.net nga burime brenda këtij subjekti politike ka marrë vesh se kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasniqi ka gjasa të mos jetë kandidat për kryeministër.

E për këtë pozitë, duket se PDK-ja ka gjetur një personalitet konsensual, kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza.

“Aktualisht gjasat më të mëdha që jetë kandidat konsensual për kryeministër i ka Bedri Hamza. Shohim në ditët e ardhshme”, ka thënë ky burim për Objektivi.net.

Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë sërish Albin Kurtin për kandidat, LDK-ja Lumir Abdixhikun, dhe AAK-ja Ramush Haradinajn.