Presidenti amerikan, Donald Trump, ka falënderuar Kosovën për kontributin e saj në Bordin e Paqes – nismës së udhëheqësit amerikan për arritjen e paqes në botë.
“Dua të falënderoj ato shtete që kanë vendosur të kontribuojnë me trupa, e trajnime për të stabilizuar Gazën, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjerë”, tha Trump gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë fjalimit të tij, Trump e përmendi Kosovën dhe Serbinë edhe në kontekstin e ndaljes së një lufte, duke deklaruar se i kërcënoi këto dy shtete se do të ndalte tregtinë e tyre me SHBA-në nëse do të shpërthente lufta, raporton Rel.
Edhe në të kaluarën, Trump ka përmendur ndaljen e një përplasjeje të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në misionin në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Më 7 shtator, Kosova u bë formalisht pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), pasi u nënshkrua marrëveshja formale për t’u bërë pjesë e kësaj force.
Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.

