Rama: Kosova ka të drejtë të pamohueshme të zbatojë Kushtetutën e saj
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosova ka të drejtë “të pamohueshme” që të zbatojë Kushtetutën e saj, teksa kërkoi që të mbahet një balancë pas sulmit të shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës.
“Përderisa të gjithë pajtohemi se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, koordinohet dhe të punojë ngushtë me aleatët e saj kyçë, le të mos harrojmë po ashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar Kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të mbahet përqendrimi dhe një balancë”, shkroi Rama në X, që më herët njihej si Twitter.
Reagimi i Ramës bëhet në kohën kur Shtetet e Bashkuara, shtetet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Britania dhe Franca – dhe Bashkimi Evropian, po i kërkojnë Kosovës që të shtyjë zbatimin e një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës.
Rregullorja, që nisi së zbatuari më 1 shkurt, parasheh përdorimin e euros si valutë të vetme për pagesat me para të gatshme, gjë që ka rritur shqetësimin e serbëve lokalë, por edhe të faktorëve ndërkombëtarë, se ky vendim do të ndikojë negativisht te popullata serbe në Kosovë, që përdor dinarin serb.
Qeveria e Kosovës ka thënë se rregullorja për operacione me para të gatshme është në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe se ajo do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar.