Kompletohet çerekfinalja e Kupës së Kosovës, Llapi eliminohet
Janë mësuar të gjitha skuadrat çerekfinaliste të Kupës së Kosovës në futboll. Ballkani ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Vëllaznimin, me rezultat 1:0.
Golin e vetëm në këtë takim e realizoi Vesel Limaj, në minutën e 41-të. Një gol për ta prerë biletën për çerekfinale i ka mjaftuar edhe Dukagjinit, që ka shënuar fitore përballë Dinamos në Klinë. Për fitoren e Dukagjinit u përkujdes Altin Merlaku, në minutën e 67-të.
Drita ka fituar pa problem ndaj skuadrës së Ligës së Parë, Rilindjes 1974, me rezultat 3:0. Golin e parë e realizoi Besnik Krasniqi (12’), më pas shënoi Blend Baftiu (18’) dhe rezultatin përfundimtar e vendosi Blerim Krasniqi (54′). Ndërkohë, Llapi edhe pse kishte epërsi prej dy golash përmes Ahmed Januzit, nuk ka arritur ta menaxhojë atë dhe në fund ka pësuar humbje nga Trepça’89, pas vazhdimeve, me shifrat 4:3.
Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras, 2:2. Kësisoj në çerekfinale të kupës do të luajnë: Prishtina, Malisheva, Suhareka 23, Vjosa, Ballkani, Drita, Dukagjini dhe Trepça’89.
Rezultatet komplete të 1/8 së finales
Suhareka 23 – Prishtina e Re 3:1
Feronikeli 74 – Malisheva 1:3
Vjosa – 2 Korriku 4:1
Gjilani – Prishtina 0:0 – 1:4 pas penalltive
Drita – Rilindja 1974 3:0
Ballkani – Vëllaznimi 1:0
Dukagjini – Dinamo 1:0
Trepça’89 – Llapi 2:2 – 4:3 pas vazhdimeve