Kurti përplaset me ShBA-në në kurriz të shtetit të Kosovës

Kurti përplaset me ShBA-në në kurriz të shtetit të Kosovës

Përplasja e Albin Kurtit me SHBA-në nuk është një përplasje e një individi, por fatkeqësisht e një personi që sot është Kryeministër i Kosovës.

Kjo përplasje, fatkeqësisht po sjellë pasoja të pariparueshme për shtetin e Kosovës në marrëdhëniet e saj me aleatët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e fuqishme të Bashkimit Evropian, si Gjermania, Franca e Italia, shkruan Demokracia.com.

Përveç kësaj, pasoja të tjera po paralajmërohen nga aleatët, SHBA dhe BE, të cilët janë të zënë me një luftë të madhe në kufijtë e Evropës, luftën e Ukrainës, apo shpërthimin e papritur të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe nuk duan një krizë tjetër.

Moskoordinimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në punë të rëndësishme me aleatët (SHBA, Britaninë e Madhe dhe shtetet e fuqishme të BE-së), sidomos kur ato prekin çështje të sigurisë, po rrezikojnë mbështetjen e tyre në konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

1 SHKURT 2024, SHBA – KURTIT: PO KUFIZONI MUNDËSITË E SHBA-së SI AVOKATE E KOSOVËS NË ARENËN NDËRKOMBËTARE

“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Ky është paralajmërimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 1 shkurt 2024, që shpreh zhgënjimin e thellë të SHBA-së, mbështetëses më të madhe të Republikës së Kosovës, për planet e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit të BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin, shkruan Demokracia.com.

Njëkohësisht, kjo deklaratë mund të bartë edhe pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës, e cila e ka të domosdoshme mbështetjen e SHBA-së për konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

3 SHKURT 2024 – NUK KA GJUMË NË AMBASADËN E SHBA-së, PUBLIKOJNË DEKLARATË NË ORËN 22:44

Nuk ka ndodhur kurrë më parë, gjatë qeverisjeve të para 14 shkurtit 2021, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëjnë deklarata publike në orën 22:44 kundër veprimeve të Qeverisë së Kosovës.

Qëndrimet e ashpra publike të Ambasadës së SHBA-së nuk janë më risi për vendin tonë, që pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe zgjedhjes së Albin Kurtit për kryeministër të Qeverisë, shkruan Demokracia.com.

Së fundmi, çështja e zbatimit të vendimit të BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin, ka detyruar ambasadën e SHBA-së në Kosovë që të reagoi në orët e vona të së shtunës, më 3 shkurt 2024.

Me anë të kësaj deklarate, Qeverisë Kurti i numërohen veprimet të cilat i ka ndërmarrë pa koordinim me SHBA dhe për pasojat që këto veprime do t’i sjellin Republikës së Kosovës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se është i shqetësuar për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës karshi serbëve të Kosovës. Ai ka përmendur operacionin për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë.

Hovenier përmes deklaratës ka shprehur shqetësimin se autoritetet e Kosovës po nxisin tensione ndëretnike të panevojshme. Ai ka shtuar se këto veprime kufizojnë opsionet që SHBA të shërbejë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Hovenier tha tutje se është i shqetësuar edhe për sekuestrimin e një automjeti me dinarë serbë që po vinin në Kosovë nga Serbia.

Diplomati amerikan tha se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, ndërsa ka shtuar se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.

Deklarata e plotë:

Pas tensionimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, gjatë verës së vitit 2023, kur Kurti vendosi që të dërgojë në zyret e tyre katër kryetarët shqiptarë, Bashkimi Evropian ndëshkoi Kosovën duke e vendosur nën masa sanksionuese politike dhe ekonomike, të cilat arrijnë vlerën e qindra-miliona dollarëve.

Këto masa sanksionuese nuk dihet ende se kur do të largohen.